Demarkacionin e dytë për Kosovën e sjell dialogu pa konsensus

0

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet që së shpejti të takohet sërish me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq në kuadër të fazës finale të dialogut.
Por, mosarritja e konsensusit të brendshëm për këtë fazë vlerësohet se mund t’ia sjellë Kosovës një skenar të ngjashëm me atë të bllokadës rreth Demarkacionit me Malin e Zi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ndonëse takimi i tretë në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi pritet të mbahet në fillim të muajit shtator partitë politike në Kosovë ende nuk kanë arritur një konsensus mbi këtë proces.

Mosarritja e një ujdie në këtë drejtim, para marrëveshjes finale Kosovë – Serbi, mund t’ia rikthejë Kosovës skenarin e Demarkacionit. Kështu vlerësojnë monitoruesit e procesit të dialogut, të cilët thonë se për ta ratifikuar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, respektivisht 80 sosh, shkruan më tutje “Zëri”.
Në anën tjetër, Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ia kishte humbur Kosovës rreth tre vjet derisa ishte miratuar në Kuvend, pasi që subjektet politike atëkohë nuk gjenin dakordim mbi këtë marrëveshje. Për të mos u përsëritur ky skenar, sipas përfaqësuesve të pozitës, arritja e një konsensusi të gjerë është më se i domosdoshëm.
Porse, partitë opozitare po vazhdojnë ta kundërshtojnë fazën finale të dialogut në mënyrën si ka nisur, fazë kjo e cila po drejtohet nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.