Dilemat e Gjermanisë për heqjen e vizave për Kosovën

0

Qeveria e Gjermanisë ende nuk i ka përfunduar diskutimet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” Ambasada Gjermane në Prishtinë.
Deputetët dhe njohësit e integrimeve thonë se tani pas dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave nga Komisioni Evropian Kosova duhet të lobojë te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për ta siguruar mbështetjen e tyre për heqjen e regjimit të vizave

Qeveria e Gjermanisë gjithmonë e ka bërë të qartë se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi që vendi ynë t’i ketë plotësuar kushtet.
Megjithatë, mbështetja e shtetit gjerman ende nuk është sigurt e as tani pas dhënies së rekomandimit për heqjen e vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian.
Këtë e ka konfirmuar Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në një përgjigje për gazetën “Zëri”.
“Qeveria gjermane mirëpret faktin që Komisioni Evropian ka dhënë një mendim lidhur me përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria gjermane ende nuk i ka përfunduar diskutimet rreth kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade.
Megjithatë, më tutje në përgjigjen për “Zërin” thuhet se Gjermania e ka bërë të qartë se e mbështet liberalizimin pasi të plotësohen kushtet.