Arsimimi i dobët ka reflektuar në shumë dimenzione të shoqërisë!

0

Shoqëria jonë, si mos më keq është çorientuar në të gjitha drejtimet. Pa dyshim, të gjithë duhet të bartim fajin për gjendjen që e kemi sot, duke filluar nga mësimdhënësit, mjekët, gazetarët, etj, askush nuk mund të thotë se ne ishim korrekt në punën tonë.

Por, para së gjithash, janë partitë politike (e në veçanti ato që ishin në pushtet) që i kanë dhënë orientimin e keq shtetit dhe shoqërisë për këto dy deceniet e pasluftës.
Interesat e ngushta partiake, familjare e shoqërore, të cilat fatkeqësisht vazhdojnë të dominojnë edhe sot, kanë kaluar mbi çdo vlerë shoqëror, por, edhe mbi vet institucionet shtetërore.

Degradimi i arsimit, është pikënisja e shkatërrimit të vlerave të përgjithshëme të shoqërisë, që edhe ashtu ishin të dërmuara nga okupimi shumëvjeqar dhe nga lufta.
Pa mëdyshje, mund të thuhet që më cilësor janë kuadrot e diplomuar gjatë viteve të 90-ta, se sa ata që diplomojnë në ditët e sotme.
Përkundër që kemi universitete publike dhe kolegje private në çdo qytet, e besa edhe në disa komuna të vogla, megjithatë, më shumë se asnjëherë më parë të rinjëve tanë u mungon komunikimi dhe kurtuazia shoqërore.

Shkollimi i mesëm shihet vetëm si një obligim që duhet ta përfundoj çdo i ri dhe e re, dhe jo si parapergatitje për studime apo orientim në ndonjë zanat. Ndërsa, studimet shihen si diçka që duhet përfunduar për tu punësuar, apo, siç është bërë zakon të thuhet ‘për të gjetur vehtën diku’.
Kjo gjendje, ka sjellë mjerimin shoqëror dhe intelektual, e si rrjedhojë edhe qeverisje analfabetësh. Këtë fakt, po e jetojmë çdo ditë si shoqëri, përveç numrit enorm të ministrive, numri i zëvendësministrave është i paprecedentë, e për më keq, raportet për punën e tyre na shfaqin realitetin e qeverisjes dhe përzgjedhjes së tyre që është bërë nga partitë politike.

Veç kësaj, punësimi i të afërmeve të pushtetarëve, është stigma e zesë që nuk do të shlyhet gjatë në shoqërinë tonë. Nuk ka ditë që nuk dëgjojmë në lajme, dhe lexojmë nëpër portale raste nga punësimet e të afërmeve të politikanëve të ‘fuqishëm’, dhe çdo ditë e më shumë po mbushemi me zhgënim dhe po fuqizohet bindja se ky vend ka mbetur në duart e grupeve politike që fare nuk u intereson qytetari, por, vetëm rehatia e tyre dhe familjarëve të tyre.

Liberalizimi i vizave, kurdo që do të ndodh, nuk është e arritur për të cilën duhet lavdëruar dikush, nuk është hiq më pak se sa dhuratë që do t’i japë Bashkimi Evropian kosovarëve pas dy dekadave pritje. Liberalizimi ka mund të arrihet shumë më herët, për këtë vones nuk është fajtor BE-ja, por klasa jonë politike e papërgjegjshëme, që ka mbytur meritokracinë, konkurrencën e drejtë, dhe shumëçka në këtë shoqëri, e që është duke vazhduar ende me mendësinë e njëjtë.
Kur do t’u vije fundi gjithë këtyre padrejtësive dhe mashtrimeve, veç një Zot e dinë!

Shkruan: Fatmir HALILi