“Farmacia e kulturës”/ Biblioterapia, ose fuqia e shërimit përmes librave

0
Old Books on Wood Table With Red Stethoscope

Për herë të parë, “Biblioterapia” si term është përdorur në vitin 1916, në artikullin “Një klinikë letrare” të “Atlantic Monthly”.

Autori fliste aty për një institut “bibliopatik” të ndodhur në bodrumin e një kishe, e të drejtuar nga një person i quajtur Bagster, në të cilin leximi rekomandohej për vlerat shëruese.

“Biblioterapia është një shkencë e re”,- thoshte Bagsteri.

“Një libër, – arsyetonte ai, – mund të jetë stimulant ose sedativ, mund edhe të ngacmojë.

Mund të jetë shurupi qetësues, ose mustarda që djeg.

Ai, me pak fjalë zgjon dhe përçon jetë të re në dejet tona”.

POR, nga viti 1916 e deri më sot, Bibliterapia ka avancuar, madje duke u kthyer në një biznes shumë interesant, gjysmë mjekësor.

“Kam lexuar një libër që më bëri të kuptoj më mirë atë që ndiej”, kjo është fraza që e dëgjojmë të përsëritet pafundësisht gjatë gjithë jetës sonë.

Prej vitesh, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh anglezë ka menduar, e transformuan këtë “fuqi” të veçantë të librave, në një lloj sistemi të vërtetë kurimi.

Iniciatorët quajtën “biblioterapia” dhe është një nga shërbimet e shumta që i ofrohet lexuesit.

Fillimisht lindi si biznes para 10 vitesh, nga një librari e re që u quajt “Scool of Life” (Shkolla e Jetës), që u hap në “Bloomsbury”, lagje e Londrës, ku lulëzoi këndi letrar me të njëjtin emër, i lidhur me Virginia Woolf, që ende sot ka mbetur zemra letrare e kryeqytetit.

Ky vend është i mbushur plot me shtëpi botuese, revista dhe librari.

Është një lloj “farmacie kulturore” shumë e veçantë, që u ofron vizituesve të saj ushqim për barkun dhe mendjen.

Mbi të gjitha kjo librari u garanton një recetë letrare, e cila të ndihmon të kthjellosh problemet e mëdha dhe të vogla të çdo dite: një depresion të përkohshëm, një angazhim që nuk të kënaq, një pasion që të zhgënjen apo një rutinë të mërzitshme familjare.

Që nga emri që ka, libraria tregon se librat, të paktën ata edukativët, mund të na mësojnë shumë gjëra të reja.

Shkrimtarët kanë menduar se kultura mund dhe duhet t‘u japë përgjigje edhe problemeve të jetës së përditshme, si ngatërresat familjare, ashtu dhe dhimbjet e dashurisë, apo “torturat” në punë.

Pas projektit qëndruan shkrimtarë si Alan De Botton (veprat e të cilit janë publikuar në shumë vende të botës), akademikë të njohur si profesor Robert Macfarlane nga Universiteti i Kembrixhit dhe Sophie Howart, ish-kuratore e “Tate Modern Museum”.

Këtu njerëzit mund të rrinin pafund duke lexuar, të konsumojnë një briosh, kafe, t‘u kërkonin mendime personave që ndodheshin brenda në bibliotekë, ose thjesht të qetësoheshin dhe të mendonin për veten e tyre.

Tashmë, “farmaci të tilla letrare” gjen kudo jo vetëm në Londër ku pati pikënisjen dekadën e kaluar, por edhe në shtete të tjera perëndimore, madje edhe në Shqipëri ka tek-tuk, pavarësisht se në mënyrë më të thjeshtëzuar, me një kënde të vogla librash.

Intervista: “Leximi – Është një strehë kundër trishtimit”
“Gjithmonë kam menduar se librat janë shpëtimi im”.

Një shkrimtare tregon se, që në moshën e adoleshencës, kush ishte e trishtuar, ndiente një nevojë fizike për të lexuar medoemos.

Ajo pohon se kjo ishte mënyra më e mirë dhe më e thjeshtë për të arritur qetësinë absolute.

Shkrimtarët thonë se të bën mirë për shëndetin, madje për shumë njerëz librat mund të zëvendësohen me ilaçet…

Gjithmonë ka qenë kështu.

Nëse ke mendime të ngatërruara, leximi të ndihmon të nxjerrësh të keqen jashtë vetes.

Të shpie në një aventurë ndryshe, të çon në një tjetër botë, në një udhëtim special.

Tregimi është si arratisje?

Kryesor është përqendrimi.

Në libra mund të gjesh mënyrën për t‘u zhdukur dhe zbavitur, kënaqësinë dhe dëfrimin, por edhe mjetet për të zbuluar botën dhe vetveten.

Historitë janë terapeutike, të tillë janë edhe personazhet e gjithashtu dhe jetët e të tjerëve.

Më sipër përmendët “nevojë fizike” dhe “shpëtim”. Mund të na e shpjegoni?

Leximi të shkëput nga konfuzioni: unë dhe libri im, hapësira ime private, sekreti dhe koha ime.

Një vetëdije dhe nevojë fizike për të rigjetur veten.

Kur isha një vajzë e vogël, kërkoja atë moment nga i cili mund të arratisesha diku për të rinisur një histori të lënë pezull, ndieja padurim, emocione për atë takim, ku më në fund të mbetesha vetëm përballë fjalëve.

Pikërisht para atyre që të shpëtojnë, sepse leximi të vë në vijë, u jep kuptim gjërave, jep besim dhe të lehtëson.

Mund të thoni titullin e një libri që i përmbledh të gjitha këto?

Natyrisht janë të shumtë, por do të veçoja librin e shkrimtarit Mark Haddon, “Rasti i çuditshëm i qenit të vrarë në mesnatë”.

Nuk e prisja, nuk e besoja, ishte një surprizë e paparashikueshme, i jashtëzakonshëm.

Një himn i optimizmit në vështirësitë e qetësisë, dëlirësia e vështrimit, drita e ekzistencave që të dhemb.