Shpëtimi i vetëm, ikja nga Kosova…

0

Ka tanimë disa vite që qytetarët e Kosovës tërësisht e kanë humbur shpresën se me këtë klasë politike, tërësisht të inkriminuar, vendi nuk pritet të ecë përpara. Në bazë të vlerësimeve të analistëve politikë dhe njohësve të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe të opinioneve të qytetarëve, me të drejtë po thuhet se Kosova tashmë është shndërruar në një vend apatik, ku askush më nuk reagon për asgjë, as kur rriten pagat paligjshëm nga qeveritarët, as kur vidhen paratë e taksapaguesve, as kur politizohen bordet, as kur shpërdorohen tenderët. Analistët thonë se as kjo opozitë aktuale me sjelljen e saj inerte nuk po e entuziazmon fare askënd, prandaj ky popull është fare i pashpresë. Nga specialistët e kësaj fushe dyshohet se shoqëria kosovare do ta ketë më së vështiri që të çlirohet nga kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar dhe në shërbim të nëntokës kriminale.

Eksperti ligjor, Blerim Burjani, për “Kosova Sot” tha se kjo skenë politike e ka humbur kredibilitetin edhe pothuajse qytetarët e kanë humbur besimin plotësisht.”Ka shumë gjëra që Kosova duhet patjetër të ndryshojë qeverisjen, nëse qytetarët nuk e ndryshojnë këtë klasë politike, atëherë ky është fundi, ngase duhet qytetarët duhet që të vendosin, ose që të merren me këtë klasë kriminale, ose t’i ndryshojnë këta politikanë, ose t’i bartin pasojat”, potencoi ai.

Humbja e shpresës

Analisti politik Arsim Haziri tha për “Kosova Sot” se nuk ka asnjë dyshim se Kosova është shndërruar në një vend apatik, ku qytetarët nuk reagojnë thuajse për asgjë, sepse jemi shndërruar në një vend apatik, që hesht.”Këtë situatë fatkeqësisht e ka krijuar mungesa e llogaridhënies, papërgjegjshmëria totale dhe mosllogaridhënia institucionale. Këto fenomene negative, përfshirë këtu edhe disa të tjera, janë rezultat i politikave të gabuara dhe mendësive përvetësuese”, u shpreh ai.

“Kosovës i nevojitet tjetër trajtim institucional, tjetër logjikë e mënyrë qeverisjeje dhe bashkangjitur me këtë një dozë e caktuar moraliteti dhe kur mund të kemi këtë rrafsh ose elitë mund të jenë të prekshme produktet, ku në to mund të marrin shërbime të gjithë”, vijoi më tutje Haziri.

“Marrë parasysh se sa punohet “në punë të shtetit”, pra nëse krahasohet efektiviteti i punës në raport me pagën, del që rrogat në këta sektorë janë më të larta se në BE”, vlerësoi ai. Ndërsa eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” tha se për fajin e klasës politike dhe pashmangshmërisht të pushteteve të pasluftës deri më sot në Kosovë nuk ka sundim të rendit e të ligjit dhe kjo ka bërë që në Kosovë realisht po sundon krimi i organizuar dhe kështu ia ka humbur shpresën qytetarit të Kosovës për një jetë më të mirë e për zhvillim ekonomik e mirëqenie.”Këtë degradim e ka bërë politika e inkriminuar dhe kjo klasë politike e korruptuar dhe e lidhur ngushtë me krimin, duke e kapur shtetin në të gjithë segmentet e tij, duke e kthyer shtetin de-fakto në shërbim të interesave të tyre e të oligarkisë kriminale”, u shpreh ai.

“Është pikërisht politika e inkriminuar, e cila e ka sjellë shoqërinë edhe në gjendje depresioni dhe duke mos parë asnjë perspektivë për jetë dhe mirëqenie, prandaj qytetarët po kërkojnë rrugë alternative për të ikur nga Kosova, pikërisht për faktin se së pari këtu sundojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilët shtetin e Kosovës e kanë kthyer në një shtet pa shtet, apo thënë ndryshe në një shtet të krimit, pa perspektivë jetësore, pa punësim e pa zhvillim ekonomik”, vijoi më tej Kelmendi.

Qytetarët akuzojnë pushtetarët

Përveç analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar nga ana e gazetës thonë se janë shumë të pakënaqur me këtë klasë politike të inkriminuar. Qytetari Hasan Bekteshi, për gazetën “Kosova Sot” tha se me këta politikanë Kosova i ka humbur të gjitha shpresat për një të ardhme më të mirë, sepse këta kanë dështuar. “Prandaj, në Kosovë ka nevojë imediate për ndryshime totale dhe rrënjësore, prandaj Kosova ka nevojë për një klasë të e re politike e të shkolluar dhe të pakorruptuar, që do të drejtonte vendin si duhet për qytetarët, e jo për veten e tyre, si kanë vepruar deri më tash pushtetarët tanë të pasluftës”, u shpreh ai.

“Me këta njerëz nuk shkohet përpara, ngase vetëm duhet shikuar se sa të rinj kanë mbaruar shkollimin e të njëjtit nuk gjejnë dot punë dhe ata po detyrohen që të ikin jashtë vendit nga mungesa e perspektivës. Pra e tëra kjo po ndodh shkaku i politikave të dobëta të politikanëve tanë, që po mendojnë vetëm për veten e tyre dhe që fare nuk i çajnë hallet për popullin. Prandaj na ka humbur shpresa dhe jemi të demoralizuar nga kjo kastë politike që duhet të shkojë në shtëpi. Por, paraprakisht qytetarët duhet të vetëdijesohen në mënyrë që t’i largojmë këta pushtetarë sa më parë nga pushteti”, potencoi Bekteshi. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Bekim Berisha, për “Kosova Sot” tha se kjo klasë politike aktuale po e tregon se çfarë kanë bërë me popullatën që po jeton në kushte të mjerueshme dhe si po ua zhvatin paranë qytetarëve.

“Për këtë qëllim duhet shikuar rastin e “Bectel& Enka”, që i zhvati Kosovës 53 milionë euro, që e bënë pushtetarët e sotëm pa i dhënë llogari askujt, ngase ata po mendojnë vetëm për vete, ndërsa populli është në një gjendje të mjerueshme, pasi pushtetarët tanë që nga paslufta po punojnë vetëm për veten e tyre dhe për popullin as që po e çajnë kokën fare”, vlerësoi ai. “Kosova ka nevojë imediate për një klasë të re politike”, theksoi ai. Sipas tij, të gjitha partitë e kanë sunduar vendin, duke e zhvatur qytetarin deri në palcë dhe e sollën në situatë duke i detyruar qytetarët që të kërkojnë shpëtimin e tyre duke ikur jashtë vendit./Kosova Sot