Ndeshjet e fundit të grupeve, “all in” në Portugali-Iran

0

Mbrëmjen e djeshme përfunduan ndeshjet e dyta për të gjithë grupet, ndërsa sot do të fillojnë të tretat dhe të fundit. Do të jenë 4 takime në ditën e sotme, që përkon edhe me të 12-ën e Botërorit, ndërsa do të ndahen në dy fasha oraresh.

Kështu në orën 16:00 do të luhen sfidat e fundit të grupit A, Rusi-Uruguai dhe Egjipt-Arabia Saudite. Në këtë grup është dhënë tashmë verdikti, me Rusinë dhe Uruguain që janë kualifikuar për në fazën e 1/8-ave, ndërsa sot do të vendosin se cila do të kualifikohet si kokë grupi. Nga ana tjetër, Egjipti dhe Arabia Saudite janë në kuotën e zero pikëve dhe sot do të përballen në një “miqësore” prestigji, pasi rezultati nuk ka asnjë vlerë.
Mbrëmja do të jetë e rezervuar për dy takimet e grupit B, pasi në orën 20:00 do të luhen Spanjë-Marok dhe Portugali-Iran. Grupi kryesohet nga Spanja dhe Portugalia me nga 4 pikë, të ndjekura nga Irani me 3, ndërsa Maroku është tashmë pa pretendime në kuotën e zero pikëve.
Me mjaft interes pritet sfida mes Portugalisë dhe Iranit, ku të dy skuadrat do të diskutojnë një vend në fazën e 1/8-ave. Natyrisht që pozitat aktuale favorizojnë portugezët, që luajnë për dy rezultate, ndërsa Irani ka nevojë për fitore, për të vijuar ende “ëndrrën” Botëror.