Raport lidhur me transparencën dhe llogaridhënien në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në Prizren

0

Javë më parë, komuna e Prizrenit është zotuar se përzgjedhja e drejtorëve të shkollave do të jetë transparente dhe llogaridhënëse, asisoji që të përfshihen në procesin e përzgjedhjes edhe vëzhgues nga shoqëria civile dhe SBAShK. Gjithashtu, zotimi/deklarimi public ishte që pas çdo intervistimi, pikët e mbledhura për çdo kandidat do t’i kumtohen komisionit dhe vëzhguesve. Për këtë qëllim Komuna e Prizrenit ka ftuar pjesëtarë të shoqërisë civile për të vëzhguar procesin e intervistimit dhe të vlerësimit të kandidatëve nga komisioni i formuar me këtë rast. Zotimi për transparencën e këtillë ka motivuar dhe pjesëtarët e shoqërisë civile të pranojnë dhe të jenë pjesë e procesit të vlerpsimit të kandidatëve.

Komisioni, i ndarë në dy grupe, është për përbërë prej: 1) grupi i parë prej Drita Qenaj, Fëllanza Kirajtani dhe Fehmi Krasniqi; dhe 2) komisioni i dytë prej Alban Bytyqi, Nazmije Gashi, dhe Sahit Berisha. Vëzhgues kanë qenë edhe anëtarët nga KDSh nga secila shkollë dhe një pjesëtar nga SBAShK. Nga Shoqëria civile kanë qenë 4 pjesëmarrës, të gjithë që kanë qenë të përfshirë në më tepër se 10 viteve të fundit në programe dhe projekte të ndryshme për përkrahjen e arsimit, përmirësimin e cilësisë dhe të menaxhimit në arsim në Komunën e Prizrenit.

Procesi i përzgjedhjes është planifikuar dhe kryer në fazat në vijim:
1. Procesi i intervistimit me gojë. Kandidatët intervistohen, kërkohet dokumentacioni origjinal, dhe pas intervistimit komisioni mbledh pikët e grumbulluara dhe i kumton vëzhguesve. Intervistimi vlerëson deri në 60 % kandidatin.
2. Procesi i vlerësimit të dokumentacionit të dorëzuar nga kandidatët, në veçanti i Planeve Zhvillimore të të Shkollave të dorëzuara nga kandidatët. Këto plane vlerësohen deri në 40 % për secilin kandidat.
3. Procesi i vlerësimit të përgjithshëm të secilit kandidat dhe të vlerësimit me pikë, rangimi dhe propozimi/përzgjedhja.

Faza e parë: Në ditën e parë të intervistimit çdo gjë ka shkuar me rregull, transparenca ka qenë e plotë, pikët e grumbulluara për secilin kandidat i janë kumtuar vëzhguesve. Vëzhguesit nga Shoqëria Civile kanë uruar komisionin për procesin transparent.

Në të gjitha ditët tjera pikët e grumbulluara janë mbajtur konfidenciale dhe nuk i janë kumtuar vëzhguesve, dhe deri në fund të procesit të intervistimeve nuk i janë kumtuar fare. Arsyetimi nga DKA ka qenë se informacioni mbi pikët e fituara ka dalë në publik nga KDSh-të dhe ka krijuar pritshmëri tek kandidatët. Kjo ka bërë që nga dita e dytë e tutje vëzhguesit të jenë të përjashtuar nga kumtimi i pikëve të grumbulluara për secilin kandidat. Me këtë edhe nuk është përmbushur zotimi publik për këtë çështje.

Të pranishëm në procesin e intervistimeve kanë qenë të gjithë anëtarët e komisioneve, përfshirë edhe nga MAShT. Grupi i pyetjeve kanë qenë të njëjta për të gjithë kandidatët, dhe nuk është vërejtur asnjë favorizim, të gjithë të intervistuarit janë trajtuar të barabartë në pyetje, dhe nuk ka pasur ndonjë pyetje jashtë atyre të planifikuara. Vërejtja jonë është në kërkimin e dokumentacionit original: secilit kandidat do duhej kërkuar në fillim të intervistës dokumentacioni original, që kofirmon vërtetësinë e kopjeve të dorëzuara me rastin e aplikimit.

Në disa raste dokumentacioni original nuk është kërkuar fare, gjersa kishte edhe kandidatë që fare nuk kanë sjellur asnjë dokument me vete. Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, kemi vërejtur që në mesin e të përzgjedhurve janë kandidatë që në procesin e intervistimit nuk kanë sjellë asnjë dokument original, dhe nga komisioni as që u është kërkuar. Nuk kemi njohuri nëse kjo është e paraparë me Udhëzim Administrativ gjegjës.

Faza e dytë: Shoqëria civile ka qenë plotësisht e përjashtuar, nuk është ftuar të jetë pjesë e kësaj faze të procesit, pesha e së cilës fazë është 40% e vlerësimit të kandidatit, dhe nuk ka asnjë informacion lidhur me vlerësimet e PZhSh-ve apo pikëve të grumbulluara të kandidatëve. Dy anëtarët nga komisioni, përfaqësues nga MAShT, fare nuk kanë marrë pjesë në këtë fazë. Sërish, nuk kemi njohuri nëse kjo është e lejueshme me Udhëzim Administrativ gjegjës.

Faza e tretë: Edhe në këtë fazë shoqëria civile ka qenë plotësisht e përjashtuar nga ky proces dhe nuk ka asnjë informacion lidhur me vlerësimet e përgjithshme dhe të pikëve të grumbulluara të kandidatëve. Anëtarët e komisionit nga MAShT edhe në këtë fazë nuk kanë marrë pjesë.

Përfundim:
Të gjithë anëtarët vëzhgues nga shoqëria civile kanë bërë vlerësimet e veta interne, të secilit të intervistuar, respektivisht cilët kandidatë kanë treguar/demonstruar shkathtësi për të udhëhequr një institucion arsimor, të paktën për fazën e parë. Këtë e kemi bërë vetëm me qëllime krahasimi ndërmjet vete dhe të shohim në fund a do të përputhet me vlerësimet zyrtare. Natyrisht, vlerësimi ynë është subjektiv, gjithnjë duke u bazuar në përvojën e dekadës së fundit në fushën e menaxhimit të arsimit. Krahasuar me rezultatet zyrtare, mund të themi se për fazën e intervistës, për rreth 40% ka shpërputhje të madhe ndërmjet vlerësimit tonë intern dhe kandidatëve të përzgjedhur. Në disa raste shohim se janë përzgjedhur kandidatët të cilët kanë treguar më së paku performancë në procesin e intervistimit. Mund të jetë që në fazën e dytë, atë të vlerësimit të dokumentacionit të dorëzuar, sidomos të Planeve Zhvillimore, të kenë marrë pikë të mjaftueshme për t’u përzgjedhur pastaj. Por në këtë fazë kemi qenë të përjashtuar nga ky proces.
Konsiderojmë se procesi i përzgjedhjes nuk ka qenë transparent, për arsye se si pjesëtarë të shoqërisë civile jemi përjashtuar plotësisht nga procesi i vlerësimit të kandidatëve. Me këtë nuk konsiderojmë se kemi qenë pjesë e procesit të përzgjedhjes përfundimtare të kandidatëve për drejtorë shkollash.

Për fund, vlerësimi ynë është që Komuna e Prizrenit edhe kësaj radhe nuk mundi t’i shmangej përzgjedhjes së drejtë të kandidatëve më të përgatitur për drejtorë shkollash, duke dështuar në sigurimin e transparencës së këtij procesi.

Urojmë që proceset e këtilla tash a e tutje të jenë të planifikuara mirë, dhe të sigurohet aplikimi i mekanizmave të transparencës. Si pjesëtarë të shoqërisë civile, jemi të përkushtuar dhe të gatshëm të kontribuojmë në procesin e përzgjedhjes së drejtë, transparente dhe llogaridhënëse të personelit udhëheqës të shkollave në Komunën e Prizrenit.

Arben Shala
Bari Zenelaj
Visar Haxhifazliu
Erkan Vardari