Rivarroset me nderime në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, luftëtari i lirisë, Mevlan Hoxhaj…

0

Të enjtën, me nderime ushtarake nga FSK , është rivarrosur në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, dëshmori Mevlan Hoxhaj nga Zhuri. Pjesë e ceremonisë së rivarrimit të dëshmorit, Mevlan Hoxhaj,përveç familjarëve dhe të afërmve të tij, veteranë e invalidë të luftës, banorë të Zhurit dhe përfaqësues të institucioneve të shumta në mesin e të cilëve kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, nën patronatin e të cilit është organizuar edhe kjo ceremoni.

Në një fjalë rasti, ai para të pranishmëve, tha se heroizmi i Mevlanit me shokë, në kohën më të vështirë për thyerjen e kufirit ndërshqiptar dhe çlirimit të Kosovës, duhet të na shërbejë si udhërrefyes për t’i shërbyer interesave të vendit dhe popullit tone. Në emër të shoqatave të dala nga lufta, ka folur sekretari i degës së OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, i cili tha se dëshmori, Mevlan Hoxhaj, ndër të parët në këto hapësira iu përgjigj kushtrimit të pushkës së Jasharjave për Lirinë e Kosovës, duke u shquar me trimëri të pashoq deri në rënien e tij heroike.
Në emër të Bashkësisë Lokale të Zhurit, kryetari i saj, Behar Begaj, tha se të flasesh për historinë e dëshmorit duhet një kohë e gjatë, dhe se veprat e tij në shërbim të atdheut do të mbesin të pavdekshme. Dëshmori, Mevlan Hoxhaj, kishte lindur me datë 9 Korrik të vitit 1974 në Zhur. Gjatë luftës ai ka qenë pjesëtar i brigadës 125-të të Zonës Operative të Pashtrikut, ku mori pjesë në shumë beteja të njësiteve të kësaj brigade kundër forcave ushtarako – policore serbe.
Ai ra dëshmor në luftimet e datës 14 dhjetor 1998 të cilat u zhvilluan në afërsi të fshatit Gorozhup, në malet e Pashtrikut, gjatë përpjekjes së luftëtarëve të Lirisë për të hyrë në Kosovë. Në këtë betejë në altarin e lirisë ranë dëshmorë 37 ushtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe Mevlan Hoxhaj, ndërsa vritet edhe komandanti i UÇK-së Mujë Krasniqi – Kapuçi. Trupi i dëshmorit Mevlan Hoxhaj me nderime të larta ushtarake ishte varrosur në varrezat e dëshmorëve në Polac të Skënderajt, nga i cili vend, ai sot do të përjetësohet pranë trimave të Lirisë në Landovicë, raporton Televizioni i Prizrenit përcjell 04 Online.