Bujqësia në vendin tonë, mundësitë dhe sfidat!

0

Bujqësia është një sektor mjaft i rëndësishëm dhe strategjik në zhvillimin ekonomik të shtetit tonë. Vetëm zhvillimi i sektorit të bujqësisë vlerësohet se ka kapacitet ta zvogëlojë shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë, duke hapur vende të reja të punës si dhe t’i zëvendësojë prodhimet e importit me ato vendore. Mirëpo në vendin tonë për pasojë, po vazhdon braktisja e sektorit të bujqësisë dhe po thellohet varfëria në vendet rurale.

Synimet për përmiresimin e gjendjes në sektorin e bujqësisë nuk po rezultojnë me sukses sepse problemet në këtë sektor vazhdojnë të jenë të konsiderueshme dhe shqetësuese. Si një ndër sektorët kryesor të vendit bujqësia kontribuon në 12% te GDP-së (sipas ASK-së), por kjo shifër është larg potencialeve reale dhe nën mesataren ndërkombëtare.

Problemet kryesore në këtë sektor janë imputet bujqësore si farat përmirësuese, plehrat apo kimikatet e ndryshme janë të shtrenjta dhe shpesh nuk i plotësojnë rezultatet e dëshiruara. Ndërsa farat të cilat ofrohen si subvencione janë të cilësisë së dobët dhe si pasojë bie edhe rendimenti (sipas kryetarit të Sindikatës të Bujqve të Kosovës shembull aktual kemi farën e grurit, ngase sipas tij qeveria po lejon që në Kosovë të hyjë grurë i kualitetit shumë të dobët).

Problem tjetër në këtë sektor mbetet të jetë largësia e tregjeve (për një fermer rezulton me shpenzim të karburantit për të shkuar në tregun e caktuar për ta shitur produktin), aktiviteti i paorganizuar i bujkut, problematikë tjetër është edhe sistemi i pazhvilluar i ujitjes.
Normat e interesit për kredi ende mbeten të larta në krahasim me shtetet tjera rajonale(shto këtu edhe gjendjen ekonomike të varfër të fermereve, kështu që problemet sa shkojnë dhe rriten). Fermerët nuk mund të punësojnë specialistë të fushave bujqësore pasi pagat e tyre janë shumë të larta dhe të pa përballueshme për fermerët.
Problematikë tjetër në vendin tonë dhe një sfidë me rëndësi për fermerët mbetet, regjistrimi i tokave bujqësore.

Duke i parë të gjitha këto probleme dhe sfida, shumë të rinj vazhdojnë ta braktisin punën në bujqësi, ata preferojnë të bëjnë një punë tjetër në qytetin më të afërt.
Për përmirësimin e kësaj gjendje është e nevojshme që të rritet bashkëpunimi nëpërmjet bankave, kompanive të sigurimit dhe shtetit. Gjithashtu rritja e granteve për fermerët do të jetë faktor kyq në përmirësimin e kësaj gjendje.
Kosova ka mundësi dhe potenciale për kuktivimin e një numri të madh të specieve perimore dhe kultivon vetëm tridhjetë të tilla.
Qeveria duhet të fokusohet në mbështetjen e konkurencës së produkteve bujqësore Kosovare duke marrë masa në mbështetjen e tregut vendas, një gjë e tillë do te ndikonte në uljen e importeve dhe rritjen e eksporteve. Përmirësimi i infrastrukturës do të ndikonte që prodhimi bujqësor të mbërrinte në kohë dhe pa dëmtim në tregun e shitjes.
Duke u bazuar në këto masa dhe masat tjera të cilat nuk janë cekur më lartë, atëher sektori i bujqësisë në vendin tonë do të përmirësohej.

Shkruan: Zgjim KRYEZIU