Haskuka: Hapja e Parkut Industrial mundëson hapjen e vendeve të reja të punës dhe rikthimin e traditës industriale në qytet…

0

Kërkesa jonë për transferin e tokave për zonën e Parkut Industrial, më në fund kaloi nga Qeveria e Kosovës. Dje na u dha në shfrytëzim hapësira për krijimin e zonës së veçantë për Industri të Lehtë “Parku i Biznesit”, Zona Kadastrale Lubizhdë, ka shkruar në facebook Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Ky është lajm jashtëzakonisht i mirë për Prizrenin, ngase hap rrugën për finalizimin e këtij projekti i cili është zvarritur për një dekadë të tërë.

Komuna jonë ka shumë nevojë për Park Industrial, për faktin se do të mundësojë ofrimin e hapësirës për investime vendore dhe të huaja dhe për faktin se Prizreni ka traditë më të gjatë të industrializimit në vend.

Prizreni ka prodhuar armë të ndryshme, produkte dekorative të arit e argjendit si dhe ka qenë i shquar për përpunimin e lëkurës. Të gjitha këto produkte, qysh para disa shekujsh, janë shitur gjithandej në Evropë dhe në vendet e Mesdheut.

Hapja e Parkut Industrial mundëson hapjen e vendeve të reja të punës dhe rikthimin e traditës industriale në qytet”, ka shkruar në facebook Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.