Bashkimi e mposhtë Prishtinën për të dytën herë, para arritjes historike…

0
Foto: Ilustrim

Bashkimi është para arritjes historike. Ekipi prizrenas ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë të serisë finale të PlayOffit të Superligës, dhe asnjëherë më parë në histori të ekipit nuk ka qenë më afër titullit kampion.

Bashkimi, që nuk ka fituar kurrë titullin e kampionit të Kosovës, duhet të fitojë edhe një ndeshje nga tri potencialet që pritet të luhen në vijim, për t’u bërë kampion.
Loja fantastike e Mikaile Tmusicit sonte dhe e Aaron Mossit kanë bërë që Bashkimi të mbajë epërsinë konstante të ndeshjes dhe të mos e rrezikojë asnjëherë fitoren.
Në anën tjetër, mundësitë për rikthim të Prishtinës, përkundër tentimeve shuheshin shpejt, pasi që Altin Morina me shpejtësinë e tij, ka rrëmbyer pesë topa për të krijuar kundërsulme të shpejta – drejt fitores.
Tmusic fantastik, shutoi 6/7 për tre pikë, duke shënuar 31 pikë gjatë ndeshjes. Moss përfundoi takimin me 21 pikë, 8 asistime e 8 kërcime.

Vinny Zollo shënoi gjithashtu pikë dyshifrore. Ai shtoi 15 të tjera në fitore, ndërsa prej forcave lokale, Altin Morina u dallua me 7 pikë, 8 asistime e 5 topa të rrëmbyer.

Te kampionët aktual, Alban Veseli, që luajti pa pushim për 40 minuta, shënoi 27 pikë e 9 kërcime. 15 të tjera shtoi i huaji i vetëm i Prishtinës, Filip Bundovic, ndërsa Edo Azemi shtoi 14 pikë, 6 asistime e 8 kërcime.

Dueli i radhës zhvillohet në Prishtinë, dhe në rast të fitores së Bashkimit, prizrenasit do të shpallen kampionë të Kosovës për herë të parë në histori të klubit.

Në të kundërtën, seria vazhdon./Borozani.com