Izraeli hodhi gaz lotsjellës nga dronët ndaj protestuesve palestinez

0

Dronë izraelitë hodhën gaz lotsjellës mbi protestuesit palestinezë të hënën në Gaza, në kufi me Izraelin, ku gjatë ditës u vranë 55 dhe u plagosën rreth 3000 palestinezë. Herët në mëngjes ushtria izraelite hodhi gaz lotsjellës në Gaza, duke paralajmëruar palestinezët që të qëndrojnë larg kufirit me Izraelin, ku në Jerusalem SHBA po e transferonte ambasadën e saj nga Tel Avivi, shkruan gazetametro.net. Dhuna e së hënës pra erdhi si pasojë e ceremonisë së inaugurimit të hapjes së ambasadës së re të SHBA në Jerusalem, ku Ivanka Trump dhe Jared Kushner u shfaqën së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu. Në të njëjtën kohë më shumë se 35,000 protestues u mblodhën në Gaza në kufi me Izraelin, ndërsa kundër tyre u përdorën snajper dhe gaz lotsjellës. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se rreth 1,200 protestues u plagosën nga armët e zjarrit. E shumë të tjerë u shtruan në spital nga gazi lotsjellës. Qyteti i shenjt i Jerusalemit vazhdon t’i ndajë edhe më shumë palestinezët dhe izraelitët, sidomos pasi këta të fundit vendosën ta transferojnë kryeqytetin aty, pas njohës së tij nga SHBA, dhe vendimit për të transferuar atje ambasadën, nga Tel Avivi ku ishte e vendosur deri tani.