Ramadan Muja kërkon që të shpallet e papranueshme dëshmia e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren

0
Foto: Arkiva

Ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka kërkuar që dëshmia e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, e dhënë në gjykimin e parë, para trupit gjykues të udhëhequr nga EULEX-i, të konsiderohet si provë e papranueshme.

Një kërkesë të tillë, ish-kreu i Prizrenit, e ka bërë gjatë seancës të së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, pasi ka përfunduar leximi i deklaratave të 27 dëshmitarëve të dhëna në gjykimin e parë, me ç’rast i akuzuari Muja, ka reaguar duke thënë se nuk mund që personi që të akuzon të jetë edhe si dëshmitar.

Në rigjykimin e këtij rasti, përveç Ramadan Mujës, për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohen edhe katër zyrtarë të tjerë të kësaj komune, Minir Krasniqi, Sadik Paqarizi, Avni Ademaj e Abdullah Tejeci.

“Nuk jam jurist, por jam historian. Më tregoni se a ka në praktikë që akuzuesi kryesor të jetë edhe akuzues edhe dëshmitar”, ka deklaruar Muja.

Ky reagim i Mujës, ka ardhur pasi fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Minir Krasniqi, avokati Pjetër Përgjokaj, ka propozuar që deklarata e Ymer Hoxhës dhe Ridvan Hoxhës të konsiderohen të papranueshme, sepse sipas tij, ata janë edhe parashtrues të kallëzimit penal dhe dëshmia e tyre është e njëanshme.

“Dëshmitari Ymer Hoxha, që është kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren, e lexuar nga procesverbali i datës 20 mars 2015, e njëjta deklaratë konsideroj se nuk duhet të merret si provë e pranueshme për arsye se dëshmitari i përmendur është iniciues i një pjese të kësaj procedure, sikurse dëshmitari Ridvan Hoxha. Arsye tjetër është dëshmitari si kryetar i Gjykatës e ka iniciuar procedurën që Gjykata Themelore në Prizren të shpallet jo-kompetente, për këtë arsye mendoj se ky dëshmitar në deklarimet e tij, në prokurori dhe shqyrtimin e mëparshëm ka qenë i njëanshëm dhe i propozoj Gjykatës që këtë provë ta shpallë të papranueshme”, ka propozuar avokati Përgjokaj.

Propozimin e tij, e kanë mbështetur të gjithë të akuzuarit e tjerë, por e ka kundërshtuar prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Fikrije Fejzullahu.

Sipas saj, dëshmitë e dy dëshmitarëve janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore dhe në këtë mënyrë nuk është e nevojshme që të njëjtat të shpallen të papranueshme.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Agim Ademi, pas konsultimit prej 10 minutash, ka marr aktvendim me anë të së cilit, ka refuzuar propozimin e mbrojtjes me arsyetimin se dëshmitë e dëshmitarëve janë marrë në përputhje me dispozitat e procedurës penale.

Gjykatësi Ademi, ka thënë se besueshmërinë e këtyre dëshmive do ta vlerësojë trupi gjykues kur ta merr aktgjykimin.

Edhe mbrojtësi i Ramadan Mujës, avokati Ruzhdi Berisha, ka propozuar që në këtë procedurë të rigjykimit të mos thirret në cilësi të palës së dëmtuar përfaqësuesi nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Avokati Berisha, një propozim të tillë e ka bërë me arsyen se përfaqësuesi i AKP-së, në gjykimin e parë nuk e ka konsideruar veten si palë të dëmtuar dhe për më tepër sipas tij, prona për të cilën akuzohet Muja se ka keqpërdorur detyrën e tij, nuk është pronë me të cilën administron AKP-ja, por Agjencia Pyjore e Kosovës.

Përfaqësuesi i AKP-së, Agron Kajtazi, ka thënë se për propozimin e mbrojtjes do të deklarohet në seancën e radhës, pasi ta merr qëndrimin e menaxhmentit të AKP-së.

Ndërsa, gjykatësi Ademi ka theksuar se edhe trupi gjykues do të merr vendim për propozimin e mbrojtjes në seancën e radhës, pasi të dëgjohet përfaqësuesi i AKP-së.

Ndryshe, në seancën e së hënës, janë lexuan deklaratat e tre dëshmitarëve të fundit, Kadri Gashi, Bajram Selmani, Veli Dakaj, të dhënë në nëntor të vitit 2013.

Seancat e radhës, janë caktuar më 2 dhe 6 korrik 2018, me fillim nga ora 10:00.

Prokuroria Speciale Republikës së Kosovës (PSRK) në shkurt 2013, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish-drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paqarizit dhe ish-drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj.

Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri.

Muja dhe të tjerët akuzohen nga prokuroria se kanë keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Po ashtu, në mesin e pronave bëjnë pjesë edhe dy parcelat ku janë ndërtuar shkolla “Mehmet Akif” dhe fabrika e çokollatës “Kamila” në Prizren, të cilat sipas akuzës nuk kanë kaluar fare përmes Kuvendit Komunal por me vendim direkt të ish kryetarit Muja.

Më 13 mars 2014, pas rreth 30 seancave gjyqësore, Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim dënues për ish-kryetarin Muja dhe të tjerë.

Muja ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare. Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Gjykata e Apelit kishte anuluar një vendim të tillë dhe kishte kthyer rastin në rigjykim, por me ankesë të prokurorisë rasti ka shkuar në Gjykatë Supreme, ku më pas Supremja kishte vendosur që lëndën sërish ta shqyrtojë Apeli.

Apeli sërish në korrik 2017, ka vendosur që lënda të kthehet në shkallë të parë për rishqyrtim dhe rivendosje, por Gjykata e Themelore në Prizren ka kërkuar që të përjashtohet nga ky rast.

Një kërkesë të tillë ishte bërë me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet Ramadan Muja, është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar janë dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit, pas kërkesës së bërë nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, me 8 gusht të vitit të kaluar kishte vendosur që rigjykimi ndaj Ramadan Mujës dhe pesë të akuzuarve të tjerë të zhvillohet nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Kurse, ndaj Kadri Ukimerit është pushuar procedura penale pasi që i njëjti ka ndërruar jetë./betimiperdrejtesi/