Apeli ia refuzon ankesën, konfirmohet aktakuza ndaj zëvendësministrit, Bujar Nerjovaj

0

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj i zëvendës ministrit të Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar.

Aktakuza e ngarkon të njëjtin me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, për periudhën sa në Komunën e Prizrenit mbante pozitën e Drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektoratit.

Ish -drejtori i Inspektoratit Bujar Nerjovaj, aktualisht zëvendës ministër në qeverinë Haradinaj ishte deklaruar i pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit së çështjes Metush Biraj.

Mbrojtësi i tij, avokati Fitim Shporta, kishte paraqitur kundërshtimin e tij për provat e aktakuzës dhe kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës, raporton KALLXO.com.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, e cila ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes si të pabazuar, edhe Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes, duke e refuzuar kërkesën e mbrojtjes si të pabazuar.

Hedhja poshtë e ankesës nga Apeli e çon rastin në gjykim kryesor.

Gjyqtari i rastit Xheladin Osmani, u ka sqaruar palëve se pasi që të formohet trupi gjykues edhe me dy gjyqtarë tjerë, do të caktohen datat për shqyrtimin kryesor.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për aktakuzën ndaj Bujar Nerjovaj, Zëvendës Ministër i Administratës Publike.